top of page
emiljozhupani

Trajtesë historike nga anëtari dhe një ndër themeluesit kryesor të shoqatës “ILIRIA” z. Ndue Gjika.

Updated: Oct 3, 2021








Pavarësia, arritje kulmore e historisë moderne shqiptare



28 Nëntori 1912, dita e shpalljes së Pavarësisë është ndër arritjet më madhore të historisë moderne shqiptare.

Pse është madhore?

Kuvendi Kombëtar i Vlorës i nëntorit 1912 jo se i realizoi dot plotësisht, por hodhi themelin për gjithë kombin shqiptar kur ai ishte në pragun e një katastrofe historike, mbase edhe të shuarjes së tij.

Që në krijimin e vet, Qeveria e Përkohshme, e formuar të nesërmen e deklarimit të pavarësisë me kryetar Ismail Qemalin, u konceptua si përfaqësuesja e të gjithë shqiptarëve dhe “e trajtoi Shqipërinë një e të pandarë … edhe pse një pjesë e madhe e tyre(territoreve të saj) ishte e pushtuar nga ushtritë e shteteve ballkanike “ (Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe veçoritë e saj dalluese, fq,1), edhe në arenën ndërkombëtare me deklaratat dhe notat e protestës së saj doli si “përfaqësuese e gjithë popullsisë shqiptare “ (Po aty). Sigurisht që kërkesat dhe protestat e saj të shumta e legjitime ranë në vesh të shurdhër për selitë Europiane pasi “Populli shqiptar ka qenë gjatë gjithë lëvizjes për çlirimin kombëtar i vetëm, pa ndihmën e jashtme e pa aleatë. ” (Po aty).

Aso kohe kanë zanafillë gjithë institucionet jetike të shtetit, rendi, mbrojtja, arsimi dhe kultura jonë kombëtare, që kishin qenë aspirata dhe përpjekje shekullore të popullin tonë.

Shqiptari vazhdimisht ka ngritur krye e ka luftuar kundër pushtuesit për identitetin, traditat dhe vetëqeverisjen e tij, vlera që ia ka dalë t’i ruaj edhe gjatë pushtimit osman. Por kur i analizojmë në brendësi shohim se ato përpjekje kanë pasur karakter krahinor, zonal, Veri, Jug, Lindje apo Perëndim të Shqipërisë se nuk arritën asnjëherë të bëheshin gjithëshqiptare.

Përpjekjet e para (pas atyre të periudhës së Skënderbeut, në shek. XV) për shkëputjen e Shqipërisë nga sundimi osman dhe për formimin e një shteti shqiptar u bënë kur u formuan dy pashallëqet shqiptare, ai i Shkodrës në veri (1771-1831) dhe i Ali pashë Tepelenës në jug (1787-1822). Ata, me gjithë kurajën e synimet e tyre ambicioze, nuk ia dolën të bashkoheshin, ndaj dështuan dhe u shtypën nga Perandoria Osmane. Ali pashë Tepelena, u ekzekutua më 24 Janar 1822, ndërsa Mustafa pashë Bushati, u thye nga Reshid Mehmet Pasha pasi e rrethoi në Kalanë e Shkodrës duke e detyruar të dorëzohej në vitin 1831, vit kur merr fund edhe sundimi 60 vjeçar i Vilajetit të Shkodrës nga dinastia e bushatlinjëve.

Përmbledhtas mund të themi se ato lëvizje kryengritëse mbajtën ndezur zjarrin patriotik përgjatë shekujve dhe nuk e lanë të shuhej emri dhe krenaria shqiptare. Por për të ardhur tek një bashkim gjithëshqiptar duheshin mendime dhe ide të përbashkëta, më të guximshme dhe largpamëse, që i formatuan intelektualët dhe mendimtarët e shquar shqiptar kudo që ishin: që nga Arbëreshët e Italisë që ndodheshin në kontakt me zhvillimin Europian, intelektualët e organizuar në Shoqatat si ajo e Stambollit, Bukureshtit, Sofjes, Kajros, Selanikut, Emigracionit në Amerikë etj.

“Shek. XIX shënoi për popullin shqiptar, ashtu si për popujt e tjerë të Ballkanit, një epokë të re, atë të Rilindjes. Ai ka hyrë në historinë moderne të vendeve të Ballkanit si shekulli i lëvizjeve dhe i revolucioneve (kryengritjeve N.Gj.) kombëtare, që ndoqën njëri-tjetrin dhe që çuan në çlirimin e shumicës së popujve të këtij gadishulli nga zgjedha e Perandorisë Osmane dhe në formimin e shteteve të pavarura.” (Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe veçoritë e saj dalluese), fq,1 Rilindja jonë Kombëtare ngriti lart “fizionominë e zbehur të Shqipërisë” dhe u shfaq në shumë drejtime si në; “rrafshin teorik, ideologjik, politik, kulturor, organizativ duke përshpejtuar procesin historik dhe i dha ritme zhvillimit shoqëror që nuk i kishin njohur periudhat e mëparshme.”

Ajo shtrihet nga vitet 30-40 të shekullit XIX dhe deri në Shpalljen e Pavarësisë…

Kultura e Rilindjes Kombëtare ishte një ideal i ri shoqëror, politik, moral që barte me vete projektin e madh të krijimit të një realiteti të ri, projektin e Shqipërisë së pavarur e të lirë. “Idetë e reja u përhapën gjerësisht në rrethet e kulturuara brenda e jashtë vendit nëpër mjet librave e shtypit dhe depërtuan dora-dorës edhe në mendjet dhe në zemrat e njerëzve të thjeshtë nëpërmjet transmetimit gojor. Ato e ndihmuan popullin të zbulonte identitetin e vet historik dhe kombëtar, pavarësisht nga ndarjet krahinore, fetare, bënë që ta ndiente veten një bashkësi me të njëjtën histori, me të njëjtën kulturë e traditë, me të njëjtat shqetësime dhe shpresa, me të njëjtat kërkesa historike kombëtare.” (Po aty)

Rilindësit ishin iluministë dhe besonin në forcën e dijeve. Thelbin e këtij koncepti e shpreh Naim Frashri në vargun: “Dhe drit’e diturisë, përpara do na shpjerë”. Pa atë kulturë shqiptarët nuk do të kishin mundësi të dallonin veten në shekullin XIX-XX, “të kuptonin gjendjen dhe rreziqet që u kanoseshin, të kuptonin ku të mbështeteshin e përse të luftonin”. “Kultura Kombëtare e Rilindjes zbuloi shpirtin dhe u dha një emër të përbashkët, emrin e Shqipërisë, trojeve ku nga kohët parahistorike kishin jetuar brez pas brezi gjyshërit e stërgjyshërit. Kjo kulturë ishte faktor zgjimi i vetëdijes kombëtare, i përgjegjësisë për faktet e kombit, ajo i dha një kuptim krejt të ri jetës së shqiptarit, i kultivoi krenarinë kombëtare, i dhuroi dinjitetin e përkatësisë kombëtare, së cilës Naimi i këndoi: “Ti Shqipëri më ep nderë, më ep emrin Shqipëtarë!”

Nëse largoheshin nga skena historike njëri pas tjetrit -Abdyli, Naimi, Samiu, Pashko Vasa, Jani Vreto, De Rada, Dhimitër Kamarda, etj., një brez i ri mendimtarësh e veprimtarësh shoqërorë merrnin në duar veprën kulturore të Rilindësve ta shpinin më tej- Luigj Gurakuqi, Shahin Kolonja, Petro Nini Luarasi, Çajupi, Prend Doçi, Mjeda, Sotir Peci, Mihal Grameno etj., e midis tyre shquhej Ismail Qemali, simbol i lidhjes dhe i vazhdimësisë në lëvizjen çlirimtare.

Në kapërcyellin e shekujve XIX-XX ndodhën ndryshime të mëdha historike që i kishin futur kryengritjet popullore në hulli të re. Me rëndësi të veçantë kanë qenë platformat politiko-kulturore të shqiptarëve në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, 10 qershor 1878, gjatë revolucionin xhonturk 1908, vendimet e Kongresit të Manastirit dhe programet, memorandumet e kryengritësve shqiptarë, tashmë programe politike për autonomi dhe Pavarësi të Shqipërisë.

Në fillim të shek. XX, një rol të veçantë luajti shtypi, sidomos, publicistika, jo vetëm me numrin e madh të botimeve brenda e jashtë vendit, por edhe me përmbajtjen e tyre kryesisht politike. Po të kujtojmë organin “DRITA” (1903-1910) të Shahin Kolonjës, “Kombi” e “Dielli” (SHBA) ose “Liria” (Manastir) etj, do të vinim re se në to mbizotëroi publicistika politike. Frymë kryengritëse bartnin vjershat e Pashko Vasës, Çajupit, Mjedës, Asdrenit, etj. Përfaqësues të shquar të kulturës së kësaj kohe, si mësues, gazetar, shkrimtar etj., si Çerçiz Topulli e Dervish Hima, Petro Nini Luarasi e Mihal Grameno, Themistokli Gërmenji e Hil Mosi, Risto Siliqi, Luigj Gurakuqi etj.

Kur mbaroi lufta Ruso-Turke të 1877-1878-ës me nënshkrimin e Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit më 1878, në të cilat parashikohej copëtimi i trojeve shqiptare midis monarkive ballkanike, dalin në pah përpjekjet e atdhetarëve rilindës, të kryesuar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Zija Prishtina, Pashko Vasa, etj. Bashkimi e kompaktësia me të cilën u veprua në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nuk mund të lindnin papritur e as të krijoheshin artificialisht. Lindi kështu Organizata e parë Politike Ushtarake mbarëshqiptare, e cila krijoi një bashkim të vërtetë të popullit shqiptar, të mbështetur në luftën e përbashkët patriotike për ruajtjen e tërësisë së trojeve etnike. “Lufta e forcave të Lidhjes për mbrojtjen e Plavës, të Gucisë, Hotit, Grudës dhe Ulqinit, si edhe gjithë veprimtaria e saj diplomatike për paprekshmërinë e kufijve të Veriut e të Jugut, që zgjati 3 vjet ( 1878-1881), u shndërrua në një çështje të përgjithshme kombëtare, që alarmoi edhe Perandorinë Osmane… Kështu, shqiptarët vunë përballë opinionit Evropian provën më të fuqishme, unitetin e shqiptarëve, argumentuan me të dhëna bindëse se populli shqiptar përbën një komb krejt të veçantë e të bashkuar, ”një komb të njësuar për nga origjina, gjuha, traditat, historia dhe për nga gjithë elementët që përbëjnë identitetin kombëtar”, “komb që ka vullnetin e tij të përbashkët” (Akte të Rilindjes…, dok. 12, 42. ).

Abdyl Frashëri, në memorandumin që i dërgoi sulltanit, më 13 tetor 1880, shprehej se, “Flotat e Gjashtë e Fuqive të Mëdha, si zhgaba shqyese, sulmuan një qytet të vogël si Ulqini” dhe nisur nga kjo kërkoi të realizohej “bashkimi i Shqipërisë; në një vilajet të vetëm, me emrin “vilajeti i Shqipërisë;”, si “një masë që do të mbronte e do të siguronte tërësinë e Shqipërisë në kuadrin e Perandorisë Osmane”. Kjo do t’u priste rrugën lakmive të shteteve fqinje, që nxiteshin edhe nga “ndarja në katër vilajetet”, ku, krahas shqiptarëve, që përbënin shumicën e popullsisë së tyre, kishte edhe pakica sllave e greke. Kjo nuk u pranua nga Perandoria Osmane ashtu si gjithë kërkesat e tjera të drejta e të arsyeshme të shqiptarëve.

Veç viseve, si domosdoshmëri doli bashkimi i vetë shqiptarëve. Bashkimi i përgjithshëm myslimanë e të krishterë, gegë e toskë, u risoll më me forcë në vendimet dhe veprimtarinë e Lidhjes së Pejës (1899-1900). Në thirrjen që përbën aktin e saj kryesor programatik thuhej:”Ajo që do ta shpëtojë kombin e atdheut tonë është bashkimi, një Besëlidhje e përgjithshme, një Besa-Besë” (AQSH. Fondi 12, dos. 1. Rruga e shpëtimit është në Besa-Besën. ).

Në fundin e shek. XIX dhe në fillimin e shek XX, një brez i tërë atdhetarësh, i përbërë nga; ”Jani Vreto, Shahin Kolonja, Fan Noli, Aleksandër Drenova, Çajupi, Aleksandër Xhuvani, Hilë Mosi, Nikollë Ivanaj, Petro Nini Luarasi, Bajo e Çerçiz Topulli, Dervish Hima, Mihal Grameno, etj., demaskuan në shumë artikuj, botuar në shtypin patriotik të kohës, veprimtarinë përçarëse të klerit të të tri besimeve. (“Kombi”, Boston, nr. 58, 25 tetor 1907).

Ngjarjet si në terrenin e brendshëm, ashtu dhe të jashtëm zhvilloheshin me shpejtësi dhe me synime shumë dramatike për shqiptarët.

Më 24 korrik të vitit 1908, turqit e rinj shpallën kushtetutën apo Hyrietin (lirinë), në të gjithë Perandorinë Osmane. Kjo ngjarje në trevat shqiptare u prit me gëzim e entuziazëm nga gjithë populli, i stërlodhur nga sundimi autokratik i sulltanëve. Në manifestimet që shpërthyen spontanisht në qytete të ndryshme të vendit, nën parullat “liri, barazi, vëllazëri dhe drejtësi” si në Vlorë, Korçë, Durrës, Tiranë, Shkodër, Prizren, Gjakovë, Pejë, Ferizaj, Kaçanik etj., populli me nismën e vet filloi të dëbonte nëpunësit e aparatit të vjetër administrativ, mutesarifët, kajmekamët, gjykatësit, komandantët e xhandarmërisë, të policisë etj., dhe bëri përpjekje për të marrë pushtetin në duart e veta, përmes komisioneve të krijuara që të kryenin funksionet e organeve të vetëqeverisjes, të pajtonin gjaqet dhe të mbanin rregullin e qetësinë. Gjithsesi shumë shpejt shqiptarët do të zhgënjeheshin se xhonturqit nuk e zbatuan kushtetutën e re.

Duke përfituar nga rrethanat e krijuara, intelektualët më në zë organizuan në nëntor të vitit 1908 Kongresin e alfabetit të gjuhës shqipe në qytetin e Manastirit, i cili përbën një nga aktet themelore për njësimin kombëtar të shqiptarëve. Kjo ngjarje me rëndësi të madhe historike i dha hov zhvillimit të mëtejshëm hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, që e kishte nismën me mësonjëtoren e parë, të hapur në Korçë, më 7 mars 1887. Nën sundimin osman ishte rreptësisht i ndaluar arsimimi në shqip, ndaj edhe mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për 15 vjet, u mbyll në vitin 1902, për t`u riçelë në vitin 1908.

Në vitin 1912, situata në Ballkan ishte mjaft e trazuar, për shkak të ngjarjeve që po ndodhnin njëra pas tjetrës. Ndërkohë, Perandoria Osmane po përjetonte një krizë të gjithanshme. Më 11 Janar të atij viti, patrioti Hasan Prishtina paralajmëroi në Parlamentin turk për një kryengritje të re në Shqipëri, po të mos plotësoheshin kërkesat shqiptare.

Më 18 Janar xhonturqit shpërndanë Parlamentin dhe shpallën zgjedhjet e reja. Në 13 Mars, u nënshkrua marrëveshja serbo-bullgare, mbi bazën e së cilës u formua “Aleanca Ballkanike”. Në muajin prill shpërtheu kryengritja kundër xhonturqve në Malësinë e Gjakovës. Në 21 deri në 25 maj, zhvilloi punimet Kuvendi i Junikut, i cili hartoi programin e autonomisë dhe fillimin e kryengritjes së përgjithshme. Ndërkohë, në maj, kryengritja kundër xhonturqve u shtri në zonën e Pejës, të Lumës, të Mirditës e të Zadrimës.

Në fillim të muajit qershor, forcat kryengritëse të udhëhequra nga Bajram Curri shpartalluan forcat turke në Qafën e Prushit. Në datat 28 dhe 29 qershor, kryengritësit e udhëhequr nga Isa Boletini, shpartalluan batalionet turke tek Ura e Senicës. Gjithashtu, brenda këtij muaji, kryengritësit shqiptarë, zhvilluan luftime me forcat turke në zonën e Prishtinës, të Pazarit të Ri dhe të Vushtrrisë, ndërkohë që, në datën 4 korrik, morën Pejën dhe në 17 Korrik, hynë në Gjakovë.

Në të njëjtën datë, kryengritja shqiptare, e detyroi qeverinë xhonturke të Said Pashës të jepte dorëheqjen. Në datën 5 gusht, sulltani shpërndau Parlamentin dhe dekretoi zgjedhjet e reja. Ndërkohë, pas këtyre zhvillimeve të vrullshme, që u pasuan edhe me ngjarje të tjera, në 8 tetor, Mali i Zi i shpalli luftë Turqisë dhe në 17 dhe 18 tetor, të njëjtën gjë bënë edhe Serbia dhe Bullgaria, gjë që shënoi edhe fillimin e luftës ballkanike. Shqiptarët ishin po aq të interesuar sa edhe popujt e tjerë të Ballkanit për t’u çliruar nga zgjedha osmane, ndaj përfaqësuesit e tyre bënë përpjekje për t’u lidhur me fqinjët në luftën e përbashkët anti-osmane, por këto përpjekje dështuan për faj të krerëve të Aleancës Ballkanike se nuk dëshironin t’i kishin shqiptarët si palë me të drejta të barabarta në këtë aleancë. Ata ishin marrë vesh ndërmjet tyre për copëtimin e Shqipërisë. Prandaj, shqiptarët nuk hynë në këtë aleancë. Pjesëmarrja e tyre në një eveniment të tillë, pa ua njohur zyrtarisht të drejtat e tyre, do të ishte një vetëvrasje.

Në këto rrethana kritike për Shqipërinë, me përkrahjen vendimtare të Austro-Hungarisë, Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi u nisën nga Stambolli dhe arritën në Bukuresht, ku, më 5 nëntor 1912, organizuan mbledhjen e kolonisë shqiptare. Atje u vendos të krijohej një Komitet Drejtues, të ngrihej një komision që do të shkonte në kancelaritë evropiane, për të mbrojtur përpara qeverive të Fuqive të Mëdha, të drejtat e kombit shqiptar. Pjesë e përpjekjeve diplomatike ishin edhe takimet që, Ismail Qemali zhvilloi në Vjenë me kontin Berthold dhe ambasadorin Italian, që ishin dy shtete që paraqisnin interesat dhe mbështetjen e tyre për vendin tonë. Ushtria osmane në Ballkan ishte shpartalluar në të gjitha frontet dhe trupat serbe, malazeze e greke kishin hyrë thellë në tokën shqiptare.

E vetmja zgjidhje për çështjen shqiptare ishte shpallja e pavarësisë. Në 19 nëntor, Ismail Qemali i shoqëruar nga patriotë të tjerë u nis nga Trieste me një fregatë Austro-Hungareze dhe arriti në Durrës, më 21 nëntor, për të ngritur flamurin atje. Por, për shkak të rrethanave të krijuara dhe kundërshtimit të qarqeve të caktuara shoviniste, kjo përpjekje dështoi. Së bashku me delegatët e Durrësit, Shijakut, Tiranës e Krujës, Ismail Qemali me shokët e tij u nisën për në Vlorë. Në Fier u bashkuan me një pjesë të delegatëve nga Kosova dhe, në 25 nëntor, arritën në Vlorë. Menjëherë nisën përpjekjet për organizimin e forcave të armatosura, me ata që kishin vullnetin e aftësinë për të luftuar. Ushtria serbe e grekët kishin përparuar në territorin shqiptar. Ndërkohë, flamuri kombëtar ishte ngritur në Elbasan, Durrës, Tiranë, Kavajë, Peqin e Lushnjë. Austro-Hungaria i dërgoi ultimatum Serbisë dhe mobilizoi forcat e saj ushtarake, gati për t’i shpallur luftë.

Delegatët që ndodheshin në Vlorë vlerësuan se, duheshin përshpejtuar procedurat për ngritjen e Flamurit dhe shpalljen e pavarësisë kombëtare. Në mbrëmjen e datës 27 nëntor u vendos që, të nesërmen të mblidhej Kuvendi Kombëtar, megjithëse, nuk kishin arritur ende mjaft delegatë nga trevat e ndryshme të Shqipërisë. Sipas historianëve Kuvendi Kombëtar i çeli punimet në orën 15. 30 të datës 28 Nëntor 1912. Në të morën pjesë 37 delegatëve, të cilët iu shtuan udhëheqës dhe aktivistë të lëvizjes atdhetare, që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare dhe, numri vajti deri në 63. Në këtë kuvend u krijua edhe Qeveria e Përkohshme, si dhe u emërua Pleqësia, ose Senati. Këto u miratuan njëzëri nga Kuvendi Kombëtar. Menjëherë pas kësaj, u shpall Qeveria e Përkohshme, si dhe u zgjodhën 18 anëtarët e anëtarët e senatit, me kryetar patriotin Vehbi Dibra. Procedurat e mëtejshme vazhduan me nënshkrimin e aktit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare nga të gjithë delegatët. Në orën 17. 30 të datës 28 nëntor, Ismail Qemali, doli në ballkonin e godinës ku u mbajt Kuvendi dhe njoftoi Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, duke ngritur Flamurin shqiptar. Shpallja e pavarësisë u përshëndet nga populli i mbledhur nga shumë anë që mbushte sheshin para godinës.

Ndërkohë, Isa Boletini, mbërriti në Vlorë, një ditë pas aktit të shpalljes së pavarësisë, në krye të 400 luftëtarëve, të gatshëm të mbronin qeverinë dhe tërësinë territoriale.

Për aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, njoftoi menjëherë gjashtë Fuqitë e Mëdha, Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu, u njoftuan edhe shtetet ballkanike, Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar.

Rruga e konsolidimit të shtetit Shqiptar, caktimi i kufijve e jetërsimi të tij do të ishte plot peripeci e do t’i duheshin përpjekje e sakrifica të vazhdueshme të cilat nuk kanë mbaruar ende as në ditët e sotme.

Shqipëria ka gjithnjë nevojë për ide e synime të qarta mbi baza historike e të drejtat ndërkombëtare dhe mbështetjen e pa kursyer të çdo shqiptari.


Ndue Gjika,

shkrimtar, ish deputet i Kuvendit Popullor 1992-1996

Saint Louis, USA, 28 Nëntor 2020

45 views0 comments

留言


bottom of page